AL(https://www.fedinvest.al/) / EN(https://www.fedinvest.al/home)
FED invest mban Asamblenë e Përgjithshme Vjetore XIII dhe prezanton rezultatet e vitit jubilar 2025
Tiranë, Qershor 2026 – Shoqëria e Kursim-Kreditit FED invest zhvilloi Asamblenë e Përgjithshme Vjetore XIII, forumin më të lartë vendimmarrës të institucionit, ku delegatë dhe përfaqësues të anëtarësisë nga e gjithë Shqipëria u mblodhën për të shqyrtuar rezultatet e vitit 2025, për të miratuar dokumentet statutore dhe për të përcaktuar prioritetet strategjike për vitin 2026.
Asambleja u zhvillua në një moment historik për institucionin, pasi viti 2025 shënoi 10-vjetorin e FED invest-it si institucion i konsoliduar dhe me 33 vite traditë në tregun e financës sociale shqiptare. Përgjatë këtij rrugëtimi, FED invest ka evoluar nga një rrjet shoqërish kursim-krediti në kooperativën financiare më të madhe në vend, duke mbështetur fuqishëm zhvillimin ekonomik të familjeve, fermerëve dhe sipërmarrjeve të vogla.
Gjatë vitit 2025, FED invest përforcoi pozicionin e tij si lider në tregun e shoqërive të kursim-kreditit, duke shënuar një sërë arritjesh pozitive në dimensionin financiar dhe social. Numri i anëtarëve tejkaloi objektivin prej 100 mijë (+ 4.6% kundrejt vitit paraardhës), ndërsa aktivet totale arritën vlerën e 9.9 miliardë lekëve, portofoli i kredisë në rreth 7 miliardë lekë, ndërsa depozitat e anëtarëve u rritën në 5.6 miliardë lekë. Institucioni ruajti një pozicion të fortë financiar me mjaftueshmëri kapitali prej 21%. Përmes këtyre treguesve, FED invest rikonfirmon misionin e tij për përfshirjen financiare dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sipërmarrjeve mikro dhe SME, në zonat rurale/sem-iurbane dhe ato urbane, duke u shërbyer edhe segmenteve më pak të shërbyer në tregun financiar, si dhe duke fuqizuar sipërmarrjet e grave dhe të rinjve.
Në fjalën e saj, Kryetarja e Këshillit Drejtues, Znj. Zana Konini , theksoi rëndësinë e vitit jubilar dhe të rolit që anëtarët kanë luajtur në suksesin e institucionit:
"10-vjetori i FED invest është dëshmi e forcës së modelit tonë kooperativ dhe e besimit që mbi 100 mijë anëtarë kanë treguar ndër vite. Ky sukses është rezultat i një pune të përbashkët, i përkushtimit të stafit dhe i mbështetjes së partnerëve tanë strategjikë. Ne do të vazhdojmë të forcojmë përfshirjen financiare dhe të mbështesim zhvillimin e komuniteteve ku operojmë."
Administratori i FED invest, Z. Perlat Sulaj , prezantoi rezultatet kryesore të aktivitetit dhe prioritetet e institucionit per vitin 2026:
"Viti 2025 ishte një nga vitet më të suksesshme në historinë e FED invest. Rritja e aktivitetit kreditues dhe e depozitave, forcimi i eficiencës operacionale, investimet në teknologji dhe zgjerimi i bashkëpunimeve ndërkombëtare na kanë mundësuar të ofrojmë më shumë mundësi për anëtarët tanë. Prioritetet tona për vitin 2026 mbeten rritja e qëndrueshme, zhvillimi digjital, forcimi i sigurisë teknologjike dhe përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë së shërbimeve."
FED invest disbursoi mbi 3,800 kredi të reja me vlerë rreth 3.35 miliardë lekë përgjatë vitit 2025, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e ekonomisë lokale dhe nxitjen e punësimit.